Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar helmimet e nxënësve në vitet 1989 dhe 1990 nga okupatori serb.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se në mesin e të gjitha krimeve të kryera nga shteti okupator i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, një prej krimeve më makabre dhe më djallëzore kanë qenë helmimet e nxënësve.

“Helmimet e nxënësve në shkollë nisën më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren. Pastaj, duke nisur nga 15 marsi i vitit 1990, raste të helmimeve të nxënësve do të shënoheshin edhe në 20 qytete dhe 11 fshatra në tërë Kosovën. Përtej nxënësve në shkolla, raste helmimesh do të regjistroheshin edhe mes punëtorëve në fabrikën e tekstilit “Emin Duraku” në Gjakovë, në fabrikën “Ballkan” të Suharekës, në fabrikën “Polet” të Vushtrrisë dhe sporadikisht mes kalimtarëve. U raportua edhe për helmimin e shtatë fëmijëve në çerdhen “Emin Duraku” në Gjakovë. Më 19 mars 1990 pati helmime masive të nxënësve shqiptarë në Podujevë, që u pasuan nga një valë tjetër helmimesh edhe më 22 mars të atij viti. Data e 20 marsit 1990 ishte dita kulmore e helmimeve, kur raste të nxënësve të helmuar u raportuan në shumë qytete të Kosovës. Numri më i madh i të helmuarve do të rezultonte të jetë mes nxënësve të komunës së Ferizajt, ndërkaq ndër vite është përllogaritur që numri total i nxënësve të helmuar ka qenë 7421”, ka shkruar ai.

Tutje, Kurti tha se autoritetet serbe u orvatën t’i kamuflojnë gjithë këto raste helmimesh, duke i penguar hetimet dhe analizat mjekësore.

“I patën përndjekur ata që ishin përfshirë në dhënien e ndihmës, sikur në rastin e 48 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët u burgosën për shkak të, siç u tha, ofrimit të paautorizuar të ndihmës mjekësore. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të tyre, këto krime shtetërore të Serbisë padyshim që kanë lënë pas shumë dëshmi”, u shpreh ai tutje.

Sipas Kurtit, përveç dëshmive të vet viktimave, dëshmitarëve, raporteve të ndryshme mjekësore e të organizatave ndërkombëtare, si dhe politikanëve të kohës, rëndësi të veçantë ka dokumentimi i krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë nga institucionet e shtetit të Kosovës.

“Pikërisht me qëllim të grumbullimit të çdo materiali dhe çdo dëshmie për të gjitha krimet e cilësdo periudhë të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë, është themeluar edhe Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, në të cilin institut po krijohet një qendër arkivore, librarie dhe audiovizuale, që do t’u shërbejë të gjithë studiuesve, kërkuesve, gazetarëve, të huaj e vendorë, juristëve dhe politikbërësve të vendit tonë që të njohin të vërtetën e historisë së Kosovës dhe të mos harrojnë asnjëherë krimet e Serbisë ndaj popullit tone”, përfundoi ai.

SHPËRNDAJE