Procesi i rinumërimit të votave në nivel vendi ka filluar të prodhojë lëkundje serioze në rezultatet e deritanishme të kandidatëve për deputetë. Kur janë numëruar mbi 50% e kutive të planifikuara, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shënon rritje të ndjeshme te disa prej emrave të saj kryesorë.
Nga të dhënat e fundit që vijnë nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, vërehet një trend i qartë i shtimit të votave që nuk ishin reflektuar në procesin e parë të numërimit.
Listës i prin Arian Tahiri, i cili deri më tani ka përfituar plot 873 vota shtesë. Pas tij renditet Uran Ismaili, me një rritje prej 721 votash, duke forcuar pozitat e tij brenda listës.
Kush tjetër u rrit?
Rinumërimi ka sjellë lajme të mira edhe për një grup tjetër kandidatësh që kanë kaluar pragun e 300 votave shtesë:
Përparim Gruda: +510 vota
Vlora Çitaku: +452 vota
Jona Hoxhaj: +450 vota
Abelard Tahiri: +449 vota
Bekim Haxhiu: +367 vota
Artan Behrami: +318 vota
Sala Jashari: +311 vota
Ky proces po shihet me interes të madh, pasi këto ndryshime mund të jenë vendimtare për renditjen finale të kandidatëve brenda listës së PDK-së dhe mund të përcaktojnë se kush do të ulet në ulëset e Kuvendit të Kosovës.


