Sot u mbajt Mbledhja e II-të e Këshillit të Komunës së Preshevës, në të cilën u diskutuan dhe u miratuan disa pika me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e komunës. Ndër vendimet kryesore ishte miratimi i thirrjes për bashkëfinancimin e projekteve në fushën e informimit publik për vitin 2026.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, theksoi se ky vendim dëshmon përkushtimin institucional për të mbështetur mediat lokale dhe për të forcuar rolin e tyre në informimin e drejtë dhe profesional të qytetarëve. Sipas saj, përmes këtij procesi synohet të krijohen kushte më të mira për realizimin e projekteve mediatike që trajtojnë tema me interes publik dhe kontribuojnë në transparencë, llogaridhënie dhe demokraci lokale.

“Komuna e Preshevës mbetet e përkushtuar për të mbështetur mediat dhe iniciativat që promovojnë informimin objektiv dhe cilësor. Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe përmirësimit të komunikimit me qytetarët,” u shpreh znj. Sinani.
Me hapjen e kësaj thirrjeje, pritet që mediat dhe organizatat përkatëse të aplikojnë me projekte inovative dhe profesionale, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së informimit publik dhe në adresimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Preshevës.
Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për angazhim serioz, transparencë dhe standarde të larta profesionale në procesin e aplikimit, duke theksuar se projektet e përzgjedhura do të financohen në përputhje me kriteret ligjore dhe interesin publik.




