Mihrije Daçaj, gruaja të cilës gjatë luftës në Kosovës në Prizren iu vranë djemtë binjakë, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.
Këto deklarime ajo i bëri në seancën e Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Millosh Pleskoviqit, me të cilin ai është dënuar me 15 vjet burgim për kime lufte.
“Ne kërkojmë dënim për jetë”, ka thënë shkurt ajo.
Dënim kapital ka kërkuar edhe avokati mbrojtës, Blend Gjini, i cili ka theksuar se ankesa e avokates së Pleskoviqit është e pabazë.
“Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me vrasje të civilëve shqiptarë, pasi që edhe përjetimet e vuajtjet janë riprodhuar sërish në seancë, konsiderojmë se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i vogël, pasi që ligji, dënimi për këto vepra penale e parasheh deri në 20 vjet, ne kërkojmë nga Gjykata e Apelit që duke marrë parasysh këto rrethana dhe fakte, të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim kapital. Andaj, për fund, i propozoj kolegjit të Departamentit Special për Krime lufte që të refuzohet kërkesa e avokates, pasi që një kërkesë e tillë është e pabazë”, ka theksuar ai, ka raportuar KP.
Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik të vitit të kaluar e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte në Prizren, Millosh Pleskoviq. Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se është vërtetuar që i akuzuari Pleskoviq, në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe i ka plagosur disa të tjerë. Vendimin e Gjykatës familjarët e viktimave e patën konsideruar tejet të ulët.
Prokuroria Speciale e pati quajtur aktgjykimin hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës dhe për familjarët e tyre.
Kjo prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj Pleskoviqit më 7 qershor të vitit 2024. Më 25 shtator të 2023-tës, Policia ka parashtruar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale kundër Pleskoviqit, nën dyshimin se e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile” në qytetin e Prizrenit.
Pleskoviqi qe arrestuar më 29 shtator të 2023-tës nga Policia e Kosovës. Prokurori Special, Ilir Morina, ka nxjerrë aktvendimin për fillimin e fazës së hetimit ndaj Pleskoviqit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se më 1 shtator të 1998-s, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, gjatë kohës së luftës, i mobilizuar dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka kryer krim të luftës kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka vrarë tre civilë shqiptarë. Prokuroria në aktakuzë pati propozuar që gjatë shqyrtimit kryesor të dëgjohen 14 dëshmitarë, ndër të cilët është përfshirë edhe ai anonim me kodin F1.