Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) një kërkesë për shqyrtim të dyshimeve ndaj ish-deputetit dhe trajnerit të futbollit, Bylbyl Sokoli, lidhur me deklarimin e pasurisë dhe një konflikt të mundshëm interesi.
Sipas IKD-së, në deklarimin e pasurisë Sokoli ka raportuar angazhimin e tij në klubin e futbollit KF Drenica vetëm deri më 18 maj 2025. Megjithatë, të dhëna publike dhe burime të hapura sugjerojnë se ai ka vazhduar ushtrimin e kësaj detyre deri në muajin dhjetor të po atij viti.
Një tjetër pikë që ka ngritur dyshime lidhet me deklarimin e të ardhurave. Në formularin e pasurisë, tek rubrika e përfitimeve financiare nga ky angazhim, është shënuar shuma “0.00 euro”, por me sqarimin se “vlera do të definohet pas përfundimit të kontratës”. IKD vlerëson se kjo mënyrë e raportimit mund të përbëjë problem ligjor dhe të nxisë dyshime për raportim të pasaktë të pasurisë.
Po ashtu, IKD thekson se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ua ndalon zyrtarëve të lartë publikë të përfitojnë pagesë për angazhime në organizata sportive që funksionojnë si organizata joqeveritare, përveç rimbursimit të shpenzimeve të arsyeshme të udhëtimit dhe dietave.
Sipas institutit, nëse këto pretendime konfirmohen nga institucionet përgjegjëse, rasti mund të përbëjë edhe vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
IKD ka kërkuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë rastin dhe të marrë veprimet e nevojshme ligjore.



