Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga 914 vendvotime që kanë shkuar në rinumërim, deri tani janë numëruar rreth 94 për qind e tyre.
Sipas të dhënave paraprake, në listën e PDK-së po vërehen mospërputhje të theksuara në numrin e votave për disa kandidatë, çka ka ngritur shqetësime për manipulim të mundshëm gjatë procesit fillestar të numërimit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kandidatja për deputete nga kjo parti, Jona Hoxhaj. Ajo ka thënë se është më e dëmtuar në këtë proces, madje sipas saj janë hequr edhe votat e familjës së saj.
“Besoj se PDK-ja sikur në historinë e saj shumëvjecare politike, do të di ta adresojë përgjegjësinë, llogaridhënien dhe të rikthej besimin qytetar. Demokracia është e shenjtë dhe si të tillë e kemi të gjithë për obligim ta mbrojmë dhe kultivojmë”, tha Hoxhaj.



