Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputete, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka pretenduar se i është cenuar integriteti personal, politik dhe ai i procesit zgjedhor, pas rinumërimit të votave, së cilës iu larguan 2,009 vota.
Veslaj-Gutaj me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që t’i hetojnë ata që kanë deformuar vullnetin qytetar, shkruan Insajderi.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor.
ADVERTISING
Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull. Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim të cilësdo parti në Kosovë, duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sjellen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat, ashtu që kjo dukuri jo vetëm që të del në shesh në nivel vendi por edhe të parandalohet me të gjitha mekanizmat e mundshme të drejtësisë, ashtu që të mos ndodhë në të ardhmen“, ka deklaruar ndër të tjera ajo.
Kandidatja e PDK’së ka kërkuar rinumërim të plotë. Veselaj-Gutajt pas rinumërimit të votave për kandidatë për deputetë iu janë hequr 2,009 vota.
