Kandidati i PDK-së për të udhëhequr Komunën e Prishtinës, Uran Ismaili, ka folur për programin e tij qeverisës në katër vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij, Ismaili u shpreh se në Prishtinë po përballen dy qasje të ndryshme politike, njëra që sipas tij është ndërtuar mbi premtime teorike, të cilat nuk janë realizuar kurrë, dhe tjetra, të cilën ai pretendon ta përfaqësojë, që fokusohet në rezultate konkrete dhe të menjëhershme.
“Mendoj që ajo që do të dëgjojmë sonte janë dy qasje që po i shohim në Prishtinë, një qasje që ka qenë e ndërtuar mbi premtime teorike dhe që nuk kanë ndodhur asnjëherë, dhe një qasje tjetër që ka sjellë rezultate të prekshme.
“Ajo që përfaqësoj unë, është një Prishtinë që funksionon, është e pastër, e ndriçuar, pa qen endacakë dhe me shumë gjëra të tjera që i mungojnë qytetit.
“Sot kemi parë që konfliktet, qofshin mes kandidatëve apo ato të krijuara në mënyrë të vazhdueshme, po e mbajnë Prishtinën peng dhe po e kthejnë pas me vite të tëra”, tha Ismaili në Klankosova.