Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë adresimit të tij në Kuvendin e LDK-së ka folur për kritikat që i janë drejtuar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, si dhe për kërkesat për dorëheqje që kanë ardhur nga brenda partisë.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku duket se iu është përgjigjur drejtpërdrejt Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit, të cilët publikisht kishin kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të LDK-së.
“Dorëheqja më është kërkuar edhe kur i kemi rritur votat për 70 mijë, e lëre më tash. Por kjo kërkesë pati një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent. Fillimisht, nuk u mjaftuan me paralajmërimin për dorëheqje të ofruar në Kuvend, por u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. ‘Ik, lësho vendin’, mu tha,” deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se më pas kjo kërkesë u shndërrua në ultimatum, duke u paralajmëruar se, nëse ai nuk jepte dorëheqjen, atëherë do ta bënin vetë ata që e kërkonin këtë veprim.
“Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa edhe e dhanë, ndonëse e vetmja gjë që kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra, në këtë Kuvend,” theksoi ai.
Abdixhiku vazhdoi duke thënë se, pas ultimatumit dhe mospranimit të tij, u përhap ideja se akti i dorëheqjes tashmë ishte i kryer dhe se Kuvendi i LDK-së nuk kishte më rol vendimmarrës.
“Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë. Merreni me mend. Kuvendi i LDK-së nuk mund të vendosë më. E kush pra?”, deklaroi Abdixhiku.