Një 37-vjeçare nga Mitrovica i është shpëtuar jeta falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të stafit mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri”.
Pacientja, B. SH. (1988), është paraqitur në Shërbimin Emergjent në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të theksuara të shokut hemorragjik, si pasojë e humbjes masive të gjakut.
Pas kryerjes së ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, mjekët kanë diagnostikuar një shtatzëni ektopike cornuale – një rast i rrallë që paraqitet vetëm në 2–4% të shtatzënive jashtë mitrës – e shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.
Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të ekipit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipet e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe shërbimet mbështetëse, është kryer një laparotomi urgjente, ndërhyrje kjo që ka qenë vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.




