Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me rritjen e tarifave të shërbimeve publike në fillim të vitit 2026, duke theksuar se qytetarët po përballen me barrë të shtuar financiare pa përmirësim të shërbimeve.

Sipas Hotit, në regjionin e Prishtinës tarifat e ujit dhe kanalizimeve janë rritur për 43.85 për qind për amvisëri dhe 40.01 për qind për biznese.

Ai ka theksuar se, pavarësisht kësaj rritjeje, furnizimi me ujë nuk ka shënuar përmirësim të mjaftueshëm, ndërsa humbjet e ujit në rrjet vazhdojnë të mbesin të larta.

Hoti ka kritikuar gjithashtu kompanitë e ujësjellësit, duke thënë se ato vazhdojnë të kenë raporte të auditimit me vërejtje substanciale. Sipas tij, në kuadër të tarifave të rritura qytetarët paguajnë edhe për shërbimin e kanalizimeve, ndonëse ujërat e zeza nuk trajtohen dhe derdhen drejtpërdrejt në lumenj.

Po ashtu, ai ka paralajmëruar se në muajin prill pritet të shqyrtohet një rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, ndërsa ka shtuar se edhe tatimi në pronë për bizneset ka nisur këtë vit me rritje të konsiderueshme.

Postimi i plotë: 

Viti 2026 nis me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve.
Në regjionin e Prishtinës, rritja është 43.85% për amvisëri dhe 40.01% për biznese. Në anën tjetër, furnizimi me ujë nuk është përmirësuar mjaftueshëm, humbjet e ujit në rrjet mbesin të larta, kompanitë e ujësjellësit vazhojnë të kenë raporte të auditimit me plot vërejtje substanciale.
Brenda këtyre tarifave të rritura paguhet edhe për derdhjen e ujërave të zeza, por ato ujëra të zeza nuk trajtohen. Ato derdhen në lumenj.
Në prill pritet të shqyrtohet rritja e sërishme e energjisë elektrike. Tatimi në pronë për biznese sivjet nis me rritje substanicale gjithashtu.

SHPËRNDAJE