Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë së Hetimeve Rajonale dhe me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka nisur hetime fillestare lidhur me veprime të dyshuara të kundërligjshme në fushën e shëndetësisë ndaj, Arianit Sllamnikut.
Hetimet kanë të bëjnë me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.
Qëllimi është verifikimi i rrethanave të dyshuara lidhur me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.
Policia e Gjilanit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga personi i përmendur dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht ose shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim. Qytetarët e bashkëpunueshëm do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Policia siguron që çdo informacion i dhënë do të trajtohet konfidencialisht dhe do të kontribuojë në procesin hetimor në përputhje me ligjin.



