Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar Washingtonin, ku është pritur në takim nga ndihmësi special i ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një postim në ”Facebook’, Hamza tha se vizita ka për qëllim ruajtjen dhe thellimin e bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane.
“Në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane, sot në Washington zhvillova një takim me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit”, shkroi Hamza.
Ai shtoi se gjatë takimit diskutuan për zhvillimet politike dhe ekonomike, si dhe për nevojën që institucionet e Kosovës të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe në një agjendë të qartë zhvillimi.
“I sigurova zyrtarët amerikanë se për mua dhe PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë: përqendrim në rritje ekonomike, investime strategjike dhe riparim të plotë të marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi Hamza.
Ai shtoi se mbështetja e popullit dhe qeverisë amerikane mbetet jetike për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, përfundoi Hamza.













