Ish-ambasadori Muhamet Hamiti rikujton zgjedhjet historike të mbajtura në kushte okupimi serb.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka rikujtuar sot një nga momentet më të rëndësishme të historisë politike të Kosovës – zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 maj 1992.

Sipas Hamitit, në këto zgjedhje historike, të organizuara në rrethana të jashtëzakonshme nën okupimin serb, 867 mijë e 557 qytetarë e votuan Ibrahim Rugovën për Kryetar të Republikës së Kosovës. Këto zgjedhje u zhvilluan në mënyrë paqësore, përmes institucioneve paralele shqiptare, duke dëshmuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për shtetësi dhe pavarësi.

Hamiti ka publikuar edhe një fotografi nga ajo ditë, duke e cilësuar si dëshmi historike të pjesëmarrjes masive të qytetarëve dhe përkushtimit të tyre për liri dhe demokraci. Zgjedhjet e vitit 1992 shihen si themel i institucionalizimit të rezistencës paqësore të udhëhequr nga presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Këto zhvillime shënuan një hap vendimtar në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke e forcuar legjitimitetin politik të përfaqësimit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE