Sot, kandidati për kryetar të Drenasit nga PDK, Petrit Hajdari, së bashku me kandidatët për asamble dhe rininë e qytetit, ndërmorën një aksion simbolik duke mbështjellë ndërtesën e Komunës me shirita të verdhë të krimit.
Ky veprim, siç u theksua nga Hajdari, është një shenjë e qartë se Komuna është shndërruar në “vendngjarje” të abuzimeve dhe korrupsionit.
“Ky shiritëzim nuk është kundër Komunës si institucion, por kundër atyre që e kanë përdorur atë për pazare dhe interesa personale. Nëse kryetari në ikje e ka kthyer komunën në vend të krimit, atëherë qytetarët sot e kanë shënuar si të tillë,” u shpreh Hajdari.
Ai theksoi se të rinjtë e Drenasit, të zhgënjyer dhe të lënë pa perspektivë, sot dhanë një mesazh të qartë: koha e pazareve ka mbaruar. “Komuna nuk është më qendër shërbimesh, por skenë abuzimi. Qytetarët e kanë kthyer këtë ndërtesë në provë të gjallë të krimit që ka ndodhur brenda saj,” shtoi ai.
Petrit Hajdari i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe prokurorisë që të mos heshtin më, duke paralajmëruar se çdo ditë vonese është padrejtësi për qytetarët e Drenasit.
“Ky nuk është më dyshim, as thashethem – është fakt i incizuar. Është dëshmi e gjallë e pazareve me pasurinë e qytetarëve dhe e përmasave të krimit të organizuar brenda Komunës së Drenasit,” theksoi kandidati i PDK-së për kryetar.