Kandidati për kryetar të Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës, Petrit Hajdari, është shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve, simpatizantëve dhe aktivistëve për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë fushatës elektorale, e cila, siç tha ai, u shndërrua në shembull bashkëpunimi dhe energjie qytetare.
“Bashkë kemi bërë një fushatë model që kulmoi me një tubim masiv përtej çdo parashikimi. Çastet e kaluara me ju, në diskutime e në shpjegim të programit tonë, kanë qenë kënaqësi e papërshkrueshme për mua,” u shpreh Hajdari.
Ai theksoi se me 12 tetor, qytetarët do t’i japin fund pritjes për qeverisje të drejtë e efikase.
“Drenasi ynë, Drenasi i së ardhmes, është vetëm një ditë larg qeverisjes që i duhet, asaj që e meriton. Nuk ju premtoj, por ju garantoj, që Drenasi që do ta udhëheq bashkë me ju, do të jetë qytet krenar,” shtoi ai.
Hajdari falënderoi qytetarët për përkushtimin, pjesëmarrjen dhe entuziazmin që treguan gjatë gjithë fushatës, duke theksuar se fitorja e PDK-së është fitorja e shpresës dhe e dinjitetit qytetar.