Me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zhvilluar sot një aksion të gjerë në Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Rahovec, Podujevë, Obiliq , ku janë angazhuar mbi 300 zyrtarë policorë dhe 10 prokurorë. Në kuadër të këtij operacioni janë ndaluar mbi 40 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtuesit e BKS-së.
Gazeta që nga mëngjesi i hershëm ka raportuar ekskluzivisht për aksionin e gjerë që po zhvillohej në disa nga qytetet e Kosovës.
Si pasojë e këtij operacioni të madh janë arrestuar Sami Mazreku, ish-drejtues i Byrosë Kosovare të Sigurimeve si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i financave në këtë institucion.
Të arrestuar tjerë siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta janë: Valon Duraj, Naser Biri, Djellza Kabashi, Brendona Muja, Naxhije Qollaku, Mirjeta Hoti, Marigona Qollaku Krasniqi, Lirim Ahmetaj.
Siç merr vesh Gazeta personat e arrestuar dyshohen për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.
Lajmin për aksionin për Gazetën e ka konfirmuara Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prizrenit, i cili tha se është duke e udhëhequr aksionin në Prishtinë.
“Aksioni është i gjerë dhe përfshinë të dyshuar në të gjithë Kosovën. Target kemi më shumë se 40 persona”, tha Kryeziu.
Pse u arrestua ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, cilat dyshime rëndojnë mbi të?
Arrestimi i ish-drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, në kuadër të një aksioni të gjerë policor të urdhëruar nga Prokuroria e Prizrenit, lidhet drejtpërdrejt me dyshimet për keqpërdorim masiv financiar dhe pagesa të pajustifikuara që kapin vlerën mbi 1 milion euro gjatë kohës sa ai ishte në krye të institucionit.
Hetimi penal është iniciuar pas raportimeve dhe kallëzimeve të bazuara në një raport të Auditimit të Brendshëm të BKS-së, i cili ka zbuluar se gjatë viteve 2022–2023 periudhë që përkon me drejtimin e Mazrekut janë kryer 166 pagesa nga llogaritë e BKS-së, pa kaluar nëpër procedurat standarde ligjore dhe jashtë sistemit zyrtar të dëmeve.
Sipas raportit, 1,043,284 euro janë shpërndarë për kompensim dëmesh, por për shumicën dërrmuese të rasteve mungon dokumenti bazë ligjor: raporti i Policisë së Kosovës për aksidentin. Përveç kësaj, nuk ekzistojnë vendime të komisionit të dëmeve, raporte ekspertize apo evidencë në databazën zyrtare të BKS-së që do ta justifikonin këto pagesa.
Auditimi i klasifikon këto shpenzime si “Rrezik i Lartë”, duke theksuar se nuk mund të përcaktohet nëse fondet janë përdorur për dëme reale apo për qëllime të tjera, çka hap dyshime serioze për abuzim financiar dhe shpëlarje parash.
Gjetjet tregojnë se mjetet janë shpërndarë tek 43 individë dhe një subjekt juridik, të cilët figurojnë si përfitues të pagesave, ndonëse nuk kanë paraqitur kurrë kërkesa zyrtare për dëm në sistemin e BKS-së. Vetë menaxhmenti i institucionit, në komentet e tij zyrtare në raportin e auditimit, ka pranuar se Departamenti i Financave nuk ka pranuar urdhërpagesa zyrtare dhe se pagesat janë kryer jashtë kontrollit të brendshëm.
Raporti dokumenton edhe kompensime të dyfishta, ku për të njëjtin aksident BKS ka paguar njëkohësisht palën e dëmtuar dhe kompaninë e huaj të sigurimit, si dhe raste kur përgjegjësia është ndryshuar nga 50% në 100% pa asnjë ekspertizë shtesë, duke rritur artificialisht shumën e dëmit.
Pikërisht këto gjetje kanë shtyrë organet e BKS-së që rasti të dërgohet për hetim penal, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës më herët e kishte përjashtuar Sami Mazrekun nga industria e sigurimeve për një periudhë pesëvjeçare.
Prokuroria e Prizrenit dyshohet se ka gjetur elemente të mjaftueshme për zgjerimin e hetimit, i cili tashmë përfshin rreth 40 persona si të dyshuar.
Arrestimi i Mazrekut shihet si rezultat direkt i këtij procesi hetimor që buron nga dyshimet për keqmenaxhim, pagesa të paautorizuara dhe shkelje të rënda ligjore brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.













