Dark Mode Light Mode

Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur ta vazhdojnë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III. Sipas arsyetimit të gjykatës, edhe pse nuk ka prova që Thaçi do të arratisej në rast lirimi, trupi gjykues është bindur se ai mund të pengojë procedurat gjyqësore ose të ndikojë te dëshmitarët që kanë dëshmuar apo mund të dëshmojnë në të ardhmen.

Gjykata ka theksuar se “asnjë masë tjetër alternative” nuk do të mund t’i zbusë rreziqet që lidhen me lirimin e mundshëm të Thaçit, duke vlerësuar se paraburgimi mbetet “i nevojshëm dhe i arsyeshëm” për të paktën edhe dy muaj.

Advertisement

Ndërkohë, procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e paraqitjes së provave nga mbrojtja, e cila ka filluar më 15 shtator. Deri më tani kanë dëshmuar disa figura ndërkombëtare, përfshirë ish-ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, ish-këshilltarin ligjor të delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, si dhe ish-këshilltarin politik të komandantit të lartë të NATO-s, John Stewart Duncan.

Sipas planit të DhSK-së, përfundimi i paraqitjes së provave nga mbrojtja është caktuar për 14 nëntor 2025, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.

Add a comment Add a comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

3 × two =

Previous Post

Rama: Mijëra zemra do të bashkohen më 17 tetor për të kërkuar njëzëri DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT

Next Post

60 autobusë nga Kosova drejt Shqipërisë për protestën e 17 tetorit

Advertisement