Shefi i ushtrisë gjermane, Gerald Funke, thotë se Berlini duhet të përgatitet për sfida të mëdha logjistike, mijëra të plagosur në ditë dhe kërcënime hibride nga sabotimet dhe sulmet kibernetike.
Gjeneral-lejtnant Gerald Funke, shefi i ushtrisë gjermane, ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë vendet e NATO-s brenda dy deri në tre viteve të ardhshme, duke e vendosur Gjermaninë në qendër të çdo konflikti të mundshëm.
Sipas tij, sfida më e madhe në një skenar të tillë do të ishte logjistika. Dhjetëra mijëra trupa aleate do të duhej të zhvendoseshin drejt vijave të frontit, ndërsa rrugët kryesore dhe linjat hekurudhore mund të dëmtohen nga sabotimet ruse, sulmet kibernetike ose raketat.
“Është e rëndësishme që Gjermania të mbetet një qendër logjistike dhe të menaxhojë linjat e furnizimit për aq kohë sa të jetë e mundur. Nëse një rrugë dështon, duhet të kemi alternativa të tjera”, tha Funke.
Një tjetër shqetësim serioz është numri i mundshëm i të plagosurve. Bundeswehr aktualisht operon pesë spitale ushtarake me rreth 1,800 shtretër, kapacitet që mund të mbingarkohet shpejt në rast lufte. Për këtë arsye, Komanda e Përbashkët e Mbështetjes dhe Ministria Federale e Shëndetësisë kanë ndarë rrjetin e spitaleve civile në katër zona, të cilat mund të rezervohen për emergjenca.
“Ndërsa në Afganistan kisha një numër të lartë, por të menaxhueshëm, të plagosurish, tani duhet të planifikojmë për mundësinë e një mijë të plagosurish në ditë. Sa më shumë e analizon, aq më komplekse dhe e vështirë bëhet për t’u imagjinuar”, shtoi ai.
Komanda e drejtuar nga Funke, e krijuar pas riorganizimit të forcave të armatosura gjermane vitin e kaluar, po punon për një sistem modern të ngjashëm me atë të epokës së Luftës së Ftohtë, për mobilizimin masiv të kamionëve, vagonëve, furnizimeve dhe personelit. Ai ka arritur gjithashtu marrëveshje gatishmërie me operatorin hekurudhor kombëtar, Deutsche Bahn, që trenat ushtarakë të mund të vihen në dispozicion brenda tre ditëve nga njoftimi.
Megjithatë, sipas tij, pengesë mbetet edhe kuadri ligjor i Gjermanisë. Disa masa ushtarake mund të aktivizohen vetëm me miratimin e dy të tretave të parlamentit për shpalljen e “gjendjes së tensionit” ose “gjendjes së mbrojtjes kombëtare”. Kjo mund të komplikohet, pasi më shumë se një e treta e deputetëve i përkasin partive radikale të majta ose të djathta, të cilat konsiderohen më miqësore ndaj Rusisë.
Analistët vlerësojnë se Gjermanisë mund t’i duhet kohë për të kaluar nga gjendja e paqes në një situatë krize. Sipas Funke-s, ndarja klasike mes paqes dhe luftës është tashmë e tejkaluar, për shkak të formave moderne të luftës hibride që përfshijnë presion politik, sulme kibernetike dhe sabotime.


