Gëzim Kasapolli është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e ka cilësuar Kasapollin si njërën nga figurat më të njohura të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend.
Abdixhiku tha se Kasapolli vjen në LDK me mbi dy dekada përvojë në institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar profil profesional të veçantë – nga shërbimi diplomatik te proceset kyçe shtetformuese dhe politikat evropiane.
Kasapolli ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Kroaci, ku, sipas Abdixhikut, ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe promovuar interesat strategjike të Kosovës në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.
Postimi i plotë:
Mirë se vjen, Gëzim!
Gëzim Kasapolli, një prej emrave më të njohur të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, Gëzimi ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillimi i politikave evropiane.
Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së.
Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në rolin e Këshilltarit Politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, Gëzimi ka qenë lidhja institucionale me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në prag të negociatave për pavarësinë e Kosovës.
Gëzim Kasapolli i bashkohet sot Lidhjes Demokratike të Kosovës me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe një angazhim të sinqertë për shtetin. LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve.
Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, është sinjal i qartë se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është rruga përpara për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike dhe që kërkojnë ndryshim të vërtetë.
Dyert tona janë të hapura.
Mirë se vjen, Gezim Kasapolli!
Paç shëndet, forcë dhe përkushtim në këtë etapë të re të angazhimit tënd për Republikën.













