Bashkëkryetarja e GUXO akuzon Gjykatën Kushtetuese për bllokada dhe paralajmëron sfida në reformën e drejtësisë.
Bashkëkryetarja e partisë GUXO, partnere në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka deklaruar se është e gatshme ta marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, pozitë për të cilën ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti më 26 tetor, por kabineti i tij nuk mori 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.
Në një intervistë për Kanal10, Gërvalla tha se edhe kabineti i ardhshëm që pritet të propozohet nga Kurti nuk do të ketë ndryshime, duke konfirmuar gatishmërinë për të udhëhequr këtë dikaster.
“Sa i përket gatishmërisë time për ta marrë udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, kam gatishmëri si në tetor,” tha ajo.
Gërvalla tha se gjatë katër viteve të kaluara, kur këtë ministri e udhëhoqi Albulena Haxhiu, është punuar shumë në reformën e drejtësisë, por procesi është përballur me bllokada të jashtëzakonshme, për të cilat ajo akuzoi Gjykatën Kushtetuese. Ajo përmendi vonesat në shqyrtimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjit për Vetingun.
Ajo foli edhe për zotimin e koalicionit për krijimin e një prokurorie të re të specializuar për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke e cilësuar këtë proces si sfidues.
“Gatishmëria ime është, por nuk mund të deklarohem përfundimisht pa u ulur me partnerët e koalicionit për ta përcaktuar ndarjen e detyrave,” shtoi ajo.
Gërvalla konfirmoi se nuk i shmanget përgjegjësive dhe preferon punën ekipore:
“Nëse partnerët tanë mendojnë se unë mund ta udhëheq mirë Ministrinë e Drejtësisë, nuk i shmangem kësaj përgjegjësie,” tha ajo.
Ndër të tjera, ajo foli edhe për raportet me presidenten Vjosa Osmani, duke konfirmuar mbështetjen e saj të pakushtëzuar:
“Mbështetja ime për presidenten Osmani asnjëherë nuk është lëkundur,” tha Gërvalla, duke shtuar se qëndrimi i koalicionit për çështjen e mandatit presidencial do të bëhet publik në kohën e duhur.
Ajo theksoi se Osmani ka pasur mbështetje të pakushtëzuar nga ana e saj në të gjitha proceset dhe nuk sheh arsye pse kjo mbështetje do të ndryshonte.














