Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla, e ftuar në emisionin Politiko, ka deklaruar se nuk mund të japë propozime konkrete apo gjykime pa i parë më parë dokumentet përkatëse dhe pa hyrë në detaje mbi faktet dhe letrat që lidhen me proceset e gjykimit të ish-krerëve të luftës së UÇK-së në Hagë.

Gërvalla ka theksuar se qëndrimi i saj ndaj drejtësisë është i qartë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Ajo ka shtuar se është personi i fundit që do të dëshironte që këto çështje të trajtoheshin në Hagë, për shkak të imazhit negativ që, sipas saj, lidhet me atë institucion nga vendet ku janë gjykuar kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit, duke nënvizuar se në ato procese asnjë përfaqësues i shoqërisë kosovare nuk do të duhej të ishte prezent.

Ajo ka deklaruar se në një moment të caktuar është pyetur për çështje që nuk kanë qenë më në dorën e saj, duke sqaruar se vendimet për dërgimin e proceseve drejt Hagës janë marrë më herët. Gërvalla ka kujtuar se, gjatë kohës sa ka shërbyer si Ministre e Punëve të Jashtme, ka garantuar që institucionet e Kosovës, përfshirë edhe misionin në Hagë, të angazhohen maksimalisht për trajtimin e rasteve, duke ofruar mbështetje të duhur për familjarët dhe për të akuzuarit, në përputhje me kapacitetet dhe mandatin e tyre.

Në fund, Gërvalla ka theksuar se është joprofesionale dhe jokorrekte të flasë për detaje të proceseve që supozohet të kenë ndodhur në periudha të mëparshme, për të cilat, siç tha ajo, nuk ka informacion të plotë apo dokumentacion të verifikuar në dorë.

SHPËRNDAJE