Opinion | Emrush Shkodra
Në një shkrim kritik dhe reflektues mbi raportin mes politikës dhe sportit në Kosovë, opinionisti Emrush Shkodra trajton reagimet institucionale ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, zhvillimet e viteve të fundit në futbollin vendor, si dhe mungesën e investimeve infrastrukturore.
Ai ngre shqetësime për ndikimin e mundshëm politik në sport dhe për pasojat që kjo mund të ketë në një nga fushat e pakta ku qytetarët kanë gjetur prej kohësh strehë nga përplasjet e përditshme politike.
Më poshtë, shkrimi i plotë i autorit, i publikuar pa ndërhyrje në përmbajtje.
Ja pra!
Një ministër, që përfaqëson Republikën e Kosovës, çohet një mëngjes dhe, në vend se të merret me problemet reale brenda vendit që ai vetë përfaqëson, u shkruan UEFA-s dhe FIFA-s për t’i njoftuar se kryetari i FFK-së është zgjedhur përmes një procesi të parregullt. Praktikisht, bëhet një ankesë ndaj një njeriu që, së bashku me ish-kryetarin e FFK-së, z. Vokrri me bashkëpunëtorë nuk kishin lënë derë pa trokitur për ta mundësuar pranimin e Kosovës në këto institucione të rëndësishme të futbollit botëror.
Sot, futbolli i Kosovës, si asnjëherë më parë, renditet në lista ndërkombëtare me reputacion, duke kaluar edhe vende që prej dekadash janë pjesë e skenës futbollistike. Përfaqësuesja e Kosovës, që dikur vlerësohej me 100–200 mijë euro, sot ka arritur një vlerë prej mbi 2–3 milionë eurosh, ndoshta më shumë! Në vend që Qeveria e vendit dhe ministri përkatës të bashkëpunojnë ose të ofrojnë dorën e bashkëpunimit për ndërtimin e stadiumeve nëpër qytete gjë që po shihet qartë se qeveria dhe komunat nuk kanë kapacitet ta bëjnë vetë, zgjidhet rruga e përplasjes institucionale. Ndërkohë, ndeshjet, finalet, derbit, kupat dhe superkupat vazhdojnë të luhen në stadiume stërvitore, në kushte primitive, e disa edhe jashtë vendit.
Pothuajse asnjë ekip nuk luan në qytetin e vet dhe, si pasojë, tifozëria ndër më entuziastet në rajon vazhdojnë t’i shohin ndeshjet nga televizori. E megjithatë, qeveria i drejtohet FIFA-s dhe UEFA-s me ankesa, duke detajuar krejtesisht se çfarë ndodh në familjen tonë të perbashket, ndonëse këto institucione kërkojnë qartë që politika të mos përzihet dhe të mos ndërhyjë në sport. Deri më tani, duket se vetëm ky segment i ka shpëtuar ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të qeverisë, asaj dëshire për t’i përzier duart dhe për të vendosur kontroll. Por, siç duket, presioni ka filluar edhe këtu, me synimin për ndikim dhe kontroll mbi futbollin.
Për shumë qytetarë në Kosovë, të lodhur dhe të tmerruar nga politika, futbolli ka qenë vendi ku kanë gjetur strehë, ku kanë shkarkuar frustrimin dhe kanë ndjekur diçka jashtë përçarjeve të përditshme. Tani, edhe këtu po futet fara e përçarjes, infiltrimi politik si hap i parë, për ta devalvuar më pas edhe këtë segment, ashtu siç ka ndodhur pothuajse në çdo sferë tjetër. Pra, futbolli po bie dhe po shembet si streha e fundit, aty ku deri më tani kishte qëndruar stoik përballë rrebesheve politike. Kur politika s’e lë as sportin, ne kete rast futbollin të qetë, atëherë s’kemi humbur vetëm sportin, por edhe strehën e fundit nga vet politika.
PS: si kesh kah e kshyri Barcelonën, veç kur u ndal rryma!