Thierry Favre, drejtues i programit HatTrick dhe përgjegjës për zhvillimin e federatave kombëtare në UEFA, ka folur me superlativa për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, në edicionin më të fundit të FFK Podcast.

Favre theksoi se Ademi gëzon respekt të madh në qarqet ndërkombëtare të futbollit, si brenda UEFA-s ashtu edhe në federatat e tjera evropiane.

“Presidenti Agim Ademi është shumë i vlerësuar. Ai është jashtëzakonisht aktiv dhe i njohur për mikpritjen e tij. Mënyra si i pret delegacionet është një aset i madh për imazhin e FFK-së,” u shpreh Favre.

Ai rikujtoi mbledhjen e Komitetit HatTrick të mbajtur në mars në Kosovë, ku anëtarët e delegacionit ndërkombëtar u impresionuan nga organizimi, pritja dhe profesionalizmi i federatës.

“Të gjithë pjesëmarrësit mbetën të mahnitur nga niveli i mikpritjes dhe shërbimit që panë në Kosovë. FFK kishte bërë një punë të shkëlqyeshme në terren,” tha ai.

Favre foli edhe për ndeshjet që Kosova i zhvilloi në shtëpi kundër Anglisë dhe Ishujve Faroe, ku ishte i pranishëm personalisht. Sipas tij, përfaqësuesja angleze kishte mbërritur me rezervë për shkak të incidenteve të mëparshme në disa shtete evropiane, por ndjesia në Kosovë ishte krejt tjetër.

“Anglezët u ndjenë të sigurt, të mirëpritur dhe shumë komod gjatë qëndrimit në Kosovë,” theksoi ai.

Vlerësimet e Favre vijnë si një tjetër konfirmim i imazhit të mirë që FFK dhe presidenti Ademi po ndërtojnë në arenën ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE