Eurodeputeti holandez Thijs Reuten rikonfirmoi mbështetjen e tij për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Në dhjetor të vitit 2022 Kosova aplikoi zyrtarisht për pranim në Bashkimin Europian gjatë Presidencës Çeke, por asnjë hap nuk është ndërmarr për shqyrtimin e saj.

Eurodeputeti Reuten deklaroi për A2 CNN tha se nuk ka asnjë justifikim që aplikimi i Kosovës të mbetet kaq gjatë në sirtar.

“Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim më në fund të vihet në proces. Nuk e përballoj dot faktin që ka mbetur në sirtar kaq gjatë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin, pavarësisht se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën. Kjo është e vërtetë, por megjithatë mund të ecim përpara me shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim”, shprehet Thijs Reuten.

Reuten u shpreh optimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës tashmë që në komunat veriore pritet të kthehen kryetarët serbë.

“Tani që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës. Sipas meje, ato s’duhej të ishin vendosur fare dhe duhej të ishin hequr prej kohësh. Por tani që shumë shpejt do të kemi kryetarë të rinj komunash që marrin detyrën në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti që Komisioni dhe vendet anëtare t’i heqin sanksionet”, deklaron eurodeputeti.

Në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, eurodeputeti holandez, pjesë e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, shpreson që procesi të marr një drejtim të ri

“Për dialogun, është e qartë se nevojitet një momentum i ri. Nuk mund të vazhdojmë me rutinën e viteve të fundit. Shpresoj që Komisionerja Kos, edhe në këtë drejtim, të ndërmarrë hapa përpara dhe që me ndërmjetësin e ri të dialogut [Peter Sorensen] të ndryshojë procesi dhe të zgjidhet lidhja e tepruar që i është bërë progresit drejt anëtarësimit, sepse kjo jep shumë hapësirë për bllokime si për Serbinë, por sidomos për Kosovën që të ecë përpara drejt statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimit”, tha ai.

SHPËRNDAJE