Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nën dyshimin për kanosje ndaj dy personave.

Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor, në Pejë.

“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale ‘Kanosje’. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, tha Nikçi.

Ai shtoi se sipas viktimave, Krasniqi dyshohet se ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit.

Avokati i Krasniqit, Artan Kastrati, tha se klienti i tij i mohon akuzat.

“Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës që kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati për Betimin për Drejtësi.

Ai shtoi se në momentin e ngjarjes, Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët.

“E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen e së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm”, theksoi avokati.

Sipas tij, denoncuesit e rastit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe rasti dyshohet të jetë politik, sidomos në prag të zgjedhjeve.

“Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë, gjë që përforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik, sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve”, përfundoi Kastrati.

SHPËRNDAJE