Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e së mërkurës në Gjakovë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj.
Sipas informatave, rreth orës 16:00, Policia ka pranuar njoftim se në një shtëpi në rrugën “Martin Camaj” në Gjakovë është gjetur e vdekur Lirije Zalli, 80-vjeçare.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet mjekësore, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës, si dhe patrulla policore dhe njësia e hetimeve nga stacioni policor në Gjakovë. Po ashtu, në vendngjarje kanë dalë edhe hetimet rajonale.
Sipas deklarimit të nipit të viktimës dhe personit të parë që ka hasur trupin e pajetë, ai kishte kontaktin e fundit me të ndjerën më 05.01.2026 në mbrëmje, ndërsa që nga ajo kohë kishte tentuar ta kontaktonte pa sukses. Ai ka deklaruar se viktima jetonte e vetme dhe se herë pas here ai kujdesej për të. Po ashtu, sipas tij, e ndjera vuante nga sëmundje të zemrës.
Lidhur me rastin është njoftuar Kryeprokurori, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të sakta të vdekjes.
Rasti vazhdon të mbetet nën hetime.














