Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, viktimat e së akuzuarës Nadica Cepkenović kanë rrëfyer për media pas seancës së parë gjyqësore, duke përshkruar dhunë sistematike, tortura fizike e psikike dhe kushte çnjerëzore gjatë kohës sa ishin të burgosura në paralelen për femra në Lipjan në vitet e luftës.
Dëshmitë u dhanë pasi Cepkenović, e cila akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, u deklarua e pafajshme në seancën fillestare, ndërsa viktimat thanë se ballafaqimi pas më shumë se dy dekadash ka rikthyer kujtime të rënda dhe traumatike.
Viktima Zahrije Podrimçaku Subashi tha se gjatë qëndrimit në burg ishte përballur vazhdimisht me tortura dhe presion ekstrem, duke theksuar një rast të veçantë kur, sipas saj, ishte dërguar në një bodrum dhe ishte kërcënuar për jetë.
“Jam arrestuar me 8 Qershor, ’98-ën. Jam dënuar 4 vite. I kam mbajt 3 vite burg.Kjo ka qenë një ndër gardianët, të gjitha janë sjellë keq, në mënyrën ma të tmerrshme, po kjo ka qenë ma kriminelja. E mbaj mend që për çdo muaj rregullisht, më ka torturu, kurr pa ndal. Gjatë bombardimeve për çdo ditë. E lëshojke magnetofonin me zë të lartë, për mos me u ni brima. Edhe ka përdor dhunë të vazhdueshme ndaj meje. Kam qenë prej femrave ma të torturume në burgjet serbe. Edhe fizikisht edhe psiqikisht”, tha ajo.
Ajo deklaroi se gjatë torturave ishte vënë nën presion që të shkelte fotografinë e Hashim Thaçit, duke treguar se kishte refuzuar edhe pse ishte kërcënuar rëndë.
Ajo tha se e akuzuara kishte hedhur fotografinë në tokë dhe kishte tentuar ta detyronte ta shkelte.
“Është mundu me m’shti me shkel fotografinë e Hashim Thaçit edhe nuk e kam shkel”.
“Sa që kjo më ka çu në podrum, ka qenë një dhomë podrum me mjete lloj lloj makina të ndryshme. Edhe më ka thanë, tha: “Ky është vendi”, tha “Ku i kemi gri shqiptarët”, tha “Edhe ti nëpër këto maça sot ki me dëpertu”.Edhe më ka gju qysh më ka ba nana e ka qit fotografinë e Hashim Thacit në tokë, edhe më kanë torturu sa kanë mujt. Deri sa s’kam mujt me i përballu. Është mundu me m’shti me shkel fotografinë e Hashim Thacit, edhe nuk e kam shkel.
Në fund i kam thanë: “Nxirre revolen vram, se nuk e shkeli se është vëllai jem”. Edhe e kom marrë fotografinë prej toke, e kam qit në gjoks. Masandej u ka kthy kjo, iu ka kthy koleges vet, Sllogjana Arsiqit, edhe i ka thanë tha: “Kjo është kokëfortë”, serbisht, tha “leje”, tha “këtë budallicë”, tha “se s’pranon”, tha “veç me mbyt””, tha ajo.

