Reshjet e dendura të shiut që kanë filluar që nga mbrëmja e kaluar në Kosovë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të vendit.
Sipas informacioneve të deritanishme, qytetet më të prekura nga vërshimet janë Gjakova, Rahoveci, Malisheva, Drenasi dhe Klina, ku shumë shtëpi dhe prona të tjera janë përfshirë nga uji.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në pjesën perëndimore të vendit, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën, Rahovecin dhe Klinën, si dhe në disa zona të pjesës qendrore, janë shënuar vërshime lokale. Si pasojë, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtrati i tyre.
IHMK paralajmëron se reshjet e shiut, me intensitet dhe intervale të ndryshme, pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për vërshime lokale, probleme në qarkullimin rrugor, në sistemet e kanalizimit dhe vështirësi në trafik.
Sipas institutit, aktualisht lumenjtë kryesorë të vendit, sidomos ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, si Ibri, Sitnica, Lepenci dhe Morava e Binçës, kanë shënuar ngritje të lehta të nivelit të ujit.
Për të ilustruar më qartë situatën e krijuar nga reshjet, agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar pamje ajrore të realizuara me dron, ku shihen shtëpi, automjete dhe toka bujqësore të përmbytura nga uji.













