Diskutimet jo-formale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me ndërjmetësimin e organizatës joqeveritare amerikane “Council for Inclusive Governance” (CIG), mbahen qe më shumë se dhjetë vjet. Që në takimet e para, këtij formati i ishin bashkuar zyrtarë nga i gjithë spektri i brendshëm politik, përfshirë ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Diskutimet jo-formale në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi, organizohen qysh nga fundi i vitit 2014, tregon një dokument – i cili është publik – i organizatës joqeveritare amerikane “Council for Inclusive Governance” (CIG).
Që atëherë, OJQ-ja e cila organizoi në nëntorin e vitit 2025 takimin e fundit joformal mes Kosovës dhe Serbisë, dhjetëra herë ka mbledhur politikanë nga Kosova dhe Serbia në bisedime jo-formale.
“Council for Inclusive Governance” (CIG) është organizatë jo-qeveritare amerikane e cila, udhëhequr nga qëllimi i mirë, ka krijuar hapësirë për takime mes politikanëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile të të dyja palëve.
Në një raport të titulluar “Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve dhe Ndërtimi i Marrëdhënieve – Sfidat e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të publikuar më 2015 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), CIG përshkruan zanafillën e takimeve të para mes palëve.
Tri takimet e para ishin zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd, mes dhjetorit të vitit 2014 dhe qershorit 2025, sipas dokumentit të përpunuar nga vet organizata jo-qeveritare amerikan, i cili është publik. Dy në Prishtinë, një në Beograd.
Nga pala kosovare, në këto takime kishin marrë pjesë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare, ambasadorë të Kosovës asaj kohe, gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Nga pala serbe, po ashtu pjesëmarrës ishin akterë të njëjtë, përfshirë ish-drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Tash në pozitën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq besohet të ketë qenë pjesëmarrës në takimet e organizuara vitin e kaluar në Solothurn të Zvicrës, bazuar në raportimin e gazetës zvicerane Neue Zurcher Zeitung (NZZ).
Sipas raportit të CIG, në tri takimet e para pjesëmarrësit përfshinin përfaqësues nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lista Serbe, si dhe nga Partia Progresive Serbe (SNS), Partia Socialiste e Serbisë (SPS), Partia Demokratike (DS), Partia Socialdemokrate (SDS) dhe Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV).

Nga niveli i lartë qeveritarë, pjesë e takimeve të zhvilluara mes dhjetorit 2014 dhe qershorit 2015, pjesëmarrës kishte qenë Bekim Çollaku, asokohe ministër i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës.
Çollaku shihet edhe në fotografitë e tryezave të rrumbullakta në kuadër të këtij dialogu. Njëra prej tyre e shfaq ish-ministrin e Integrimeve Evropiane teksa e shërben me ujë të pijës Jadranka Joksimoviçin, ish-ministren pa portofol të Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Serbisë.

Kabinetin qeveritar të Kosovës në këto takime e përfaqësonte edhe Valon Murtezaj, ish-këshilltari i kryeministrit të kohës Isa Mustafa.
Subjektet politike parlamentare, në këto takime përfaqësoheshin nga: Besim Beqaj, Ganimete Musliu, Blerta Deliu-Kodra dhe Zenun Pajaziti nga PDK; Blerim Grainca, Armend Zemaj, Bardhyl Metaj, Lirije Kajtazi dhe Sadri Ferati nga LDK; Glauk Konjufca, Dardan Molliqaj dhe Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Teuta Haxhiu nga AAK.

Qëllimi i takimeve ishte kontribuimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas raportit të CIG.
“Objektivi i CIG-ut është që bashkëpunimi institucional ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të shndërrohet nga një proces ‘historik’ në një praktikë të zakonshme dhe të përditshme”, thuhet në raport.

Ndonëse lokacioni i këtij formati të dialogut do të zhvendosej në të ardhmen në Zvicrë, fillimisht ato ishin paraparë të zhvilloheshin vetëm në Kosovë dhe në Serbi.
“Këto takime, sipas CIG-ut, duhet të mbahen vetëm në Kosovë dhe në Serbi, e jo në vende të treta”, bazuar në raport.
Asokohe, pjesëmarrësit ishin pajtuar që i ashtuquajturi “Grupi për Bashkëpunim” të takohej rreth katër herë në vit dhe të trajtojë çështje praktike ku kapacitetet e tyre zyrtare mund të kontribuojnë më shumë.
Të martën, gazeta zvicerane Neue Zurcher Zeitung (NZZ) raportoi se takimet joformale në kuadër të dialogut, të bashkë-organizuara nga CIG dhe Ministria e Jashtme Zvicerane (EDA) po mbahen tash e disa vjet në Solothurn, një qytet në afërsi të Bernës, kryeqytetit të Zvicrës.
Sipas raportimit të Neue Zurcher Zeitung, vitin e kaluar, formati mblodhi pranë tryezës së rrumbullakët zyrtarë të nivelit të lartë qeveritarë nga të dyja palët: Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe Marko Gjuruqin, ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Të dy zyrtarët e lartë të qeverive përkatëse nuk kishin marrë pjesë në të njëjtin takim, saktësoi një ditë më vonë gazeta.
Prezent në takime vijojnë të jenë deputetë të të dyja parlamenteve dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.














