Dark Mode Light Mode
Djegia e Kuranit në Gjakovë, reagon Bashkësia Islame
Djegia e Kuranit në Gjakovë, reagon Tërnava: Akt vandal dhe kriminal – i kryer me porosi
Ramadani: Shërbimet e Serbisë po i trajnojnë serbët në veri 

Djegia e Kuranit në Gjakovë, reagon Tërnava: Akt vandal dhe kriminal – i kryer me porosi

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar i tronditur për rastin e djegies së Kuranit në Çabrat të Gjakovës, akt që e ka cilësuar si vandal dhe kriminal, duke e përshkruar si të “porositur”.

Tërnava tha se ky veprim godet parimet, traditën dhe identitetin e popullit të Kosovës.

“Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë.

Advertisement

Populli shqiptar, ndër shekuj, është njohur dhe është identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit, kulturës dhe traditës së tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me fenë dhe besimin.

Fatkeqësisht, këto vlera dhe parime janë vënë në shënjestër kohëve të fundit nga lëvizje të errëta që, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë”, tha Tërnava.

Ai theksoi se këto raste janë pasojë e propagandës dhe gjuhës së urrejtjes.

“Individë të caktuar dhe grupe të organizuara, duke manipuluar, shpifur dhe instrumentalizuar opinionin publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame.

Kjo propagandë e rrezikshme, në raste edhe tronditëse, është përkrahur madje nga persona që mbahen dhe paguhen si profesorë universitarë, duke marrë shembuj dhe modele të errëta të gjenocidit grek dhe serb ndaj shqiptarëve myslimanë.

Djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë e shohim si një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam”, shtoi Tërnava.

Ai ka bërë thirrje që organet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve dhe ideatorëve të këtij akti.

“Kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të ‘fjalës së lirë’, ‘të drejtës së besimit’ dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre”, përfundoi Myftiu i Kosovës.

Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve + 3 =

Previous Post

Djegia e Kuranit në Gjakovë, reagon Bashkësia Islame

Next Post

Ramadani: Shërbimet e Serbisë po i trajnojnë serbët në veri 

Advertisement