Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, më 29 maj 2025, ka dhënë deklaratë V.M., bashkëshortja e tashmë të ndjerit rreshteri Muhamed Lika, e cila ka rrëfyer detaje lidhur me jetën e tyre familjare dhe rrethanat që paraprinë vrasjen e tij.
Sipas deklaratës së saj, të cilën e ka siguruar Gazeta ajo dhe Muhamed Lika ishin njohur prej kohësh dhe më pas kishin krijuar një lidhje martesore, duke pasur, siç tha ajo, një jetë të lumtur dhe të qetë, me respekt të ndërsjellë dhe marrëdhënie të mira edhe me familjet respektive. Ajo ka thënë se Muhamedi ishte një bashkëshort i mirë, i qetë dhe i respektueshëm, si në familje ashtu edhe në rrethin ku jetonte, pa pasur ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje me persona të tjerë.
Pos tjerash, bashkëshortja e të ndjerit Muhamed Lika ka treguar se disa ditë para vrasjes, rreth 3-4 ditë më parë, ajo dhe bashkëshorti ishin kthyer në banesë nga qyteti dhe kishin kaluar pranë lokalit të Haki Belës. Aty, sipas saj, kishin vërejtur disa persona të grupuar së bashku. Ajo i kishte thënë Muhametit: “Për çudi, këta persona janë duke qëndruar së bashku”, ndërsa ai kishte thënë: “Diçka ka me kris këtu, se shumë janë duke qëndruar së bashku”
Megjithatë, dëshmitarja ka deklaruar se gjatë vitit 2023, bashkëshorti i saj e kishte njoftuar se kishte pasur probleme me disa persona gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, lidhur me shpërndarjen e fletushkave me karakter fetar dhe ndezjen e një pishe në qytet. Sipas saj, në këtë rast përmendej i mituri Rejhan Bela dhe grupi i tij.
“Muhamedi nuk kishte pasur ndonjë problem me ndokënd përveç se gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, saktësisht gjatë vitit 2023, e kishte njoftuar bashkëshorten e tij se kishte pasur një problem me disa persona lidhur me shpërndarjen fletushkave me karakter fetar si de ndezjen e një pishe në qytet, e që bëhet fjalë për të miturin Rejhan Bela dhe grupin e tij”, citohet të ketë thënë bashkëshortja e të ndjerit Lika në dosjen e Prokurorisë.
V.M. ka deklaruar se në ditën kritike, Muhamed Lika kishte qenë në ndërrimin e pasdites dhe ishte nisur për në punë. Rreth orës 17:00 kishte komunikuar me të lidhur me një termin mjekësor, ndërsa rreth orës 18:00 e kishte ftuar për darkë në banesë, ku ai kishte qëndruar deri rreth orës 19:30, përpara se të largohej sërish për në punë.
Ajo ka rrëfyer se rreth orës 22:45 kishte dalë në ballkon për të ndezur një cigare dhe për ta pritur bashkëshortin, ku kishte vërejtur një veturë të ndalur për disa sekonda para banesës, nga e cila kishin zbritur dy persona me kapela në kokë. Pak më vonë, rreth orës 23:00, ajo kishte dëgjuar katër të shtëna me armë zjarri.
Pas kësaj, dëshmitarja ka deklaruar se kishte dalë në korridor dhe më pas në ballkon, ku kishte vërejtur praninë e ndihmës së shpejtë dhe policisë. Ajo i kishte dërguar mesazh bashkëshortit duke e pyetur se çfarë kishte ndodhur, por nuk kishte marrë përgjigje. Nga ballkoni kishte parë se në autoambulancë po futej një person me uniformë policie.
Më pas, ajo ka zbritur poshtë dhe, sipas saj, një fqinj i kishte thënë se Muhamedi ishte rrëzuar në shkallë dhe ishte dërguar në emergjencë. Pak më vonë, ajo ishte njoftuar nga vëllai i saj se Muhamed Lika ishte plagosur. Ajo kishte shkuar në Emergjencën në Kaçanik, ku kishte parë mjekët duke dhënë ndihmën e parë, ndërsa rreth mesnatës ishte informuar nga personeli mjekësor se Muhamed Lika kishte ndërruar jetë.
Në deklaratën e saj, ka thënë se Rejhan Belën e njihte si person problematik, i njohur për organet e drejtësisë dhe i dënuar më herët për veprën penale të dhunimit, ndërsa Haki Belën e kishte njohur për shkak se kishte punuar në market dhe në një filial bankar.
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, nga analizimi i telefonave të të dyshuarve Rejhan Bela, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi ka nxjerrë në pah gjetje të shumta që lidhen me aktivitetet e tyre në rrjetet sociale.
Gjatë analizimit janë evidentuar kontakte, mesazhe SMS, historik i shfletimit në internet, audio-fajlla, dokumente, fotografi dhe imazhe, si dhe komunikime të dokumentuara në rrjetet sociale TikTok, Snapchat dhe Instagram.
Bazuar në këto ekzaminime, dosja vlerëson se ekziston mundësia që të dyshuarit të jenë radikalizuar ose të jenë shtyrë drejt radikalizimit fetar, potencialisht përmes kontakteve apo përfshirjes në grupe ekstremiste, përfshirë edhe “ISIS”.
“Po ashtu, nga Raporti Informues mbi analizimin e telefonave të të dyshuarve Rejhan Bela, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, telefonat e të cilëve janë sekuestruar gjatë një plani operativ të realizuar më datë 21.04.2025, rezulton se të njëjtit janë ekzaminuar dhe janë evidentuar disa gjetje, përfshirë kontakte, SMS, historik të internetit, audio-fajlla, dokumente, fotografi dhe imazhe, si dhe komunikime të dokumentuara në rrjetet sociale TikTok, Snapchat dhe Instagram. Në bazë të këtyre ekzaminimeve, ekziston mundësia që të dyshuarit të jenë radikalizuar ose të jenë shtyrë drejt radikalizimit fetar në ndonjë nga grupet ekstremiste, si “ISIS”, për çka janë siguruar fotografi të cilat janë bashkëngjitur këtij raporti dhe sugjerojnë mundësinë e përfshirjes në grupe ekstremiste”, thuhet në dosje.