Gazeta ka mësuar ekskluzivisht detaje nga deklarata e dhënë nga Brendona Mujaj, njëra nga personat e përfshirë në aksionin e gjerë të Krimeve Ekonomike që lidhet me dyshimet për keqpërdorime financiare në sektorin e sigurimeve.

Mujaj ka deklaruar para hetuesve se ushtron profesionin e psikologes dhe është e punësuar në një institucion privat, duke theksuar se gjendja e saj financiare është e dobët dhe se të ardhurat mujore i ka rreth 450 euro. Ajo ka pohuar se nuk ka pasur ndonjë procedurë tjetër penale në të kaluarën dhe se nuk ka qenë e përfshirë më herët në raste të ngjashme.

Burimet tona bëjnë të ditur se gjatë deklarimit, ajo është pyetur në mënyrë specifike lidhur me transfere financiare të realizuara gjatë vitit 2023, në vlerë të përgjithshme rreth 18 mijë euro, të cilat dyshohet se kanë kaluar përmes një llogarie të lidhur me Byronë Kosovare të Sigurimeve. Hetuesit kanë kërkuar sqarime për qëllimin e këtyre transfereve dhe për mënyrën se si janë shpenzuar këto mjete.

Po ashtu, Mujaj ka deklaruar se nuk ka qenë palë e dëmtuar në ndonjë aksident trafiku gjatë vitit 2023 dhe se nuk ka paraqitur kërkesa për kompensim financiar, çështje që po trajtohet si pjesë e verifikimeve financiare në këtë rast.

Hetimet në këtë aksion janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po analizojnë dokumentacionin financiar, lëvizjet bankare dhe rolin e secilit person të përfshirë. Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se priten edhe veprime të tjera procedurale në ditët në vijim.

 

SHPËRNDAJE