Një foto e Adeniyi Kayode, shoferit 47-vjeçar të boksierit Anthony Joshua, i cili dyshohet se shkaktoi një aksident fatal me makinë ku humbën jetën dy persona, është publikuar për herë të parë.
Kayode është akuzuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasoja vdekjeprurëse, në të cilin mbetën të vdekur dy burra, ndërsa Anthony Joshua pësoi lëndime të lehta.
Sipas autoriteteve, 47-vjeçari akuzohet për drejtim të pakujdesshëm të mjetit, pasi Lexus-i që ai drejtonte u përplas me një kamion të parkuar në një autostradë në Nigeri. Kayode është paraqitur për herë të parë para një gjykate në Sagamu, ku ndaj tij janë ngritur akuza për drejtim mjeti të rrezikshëm që shkaktoi vdekjen, drejtim të pakujdesshëm dhe neglizhent, si dhe mungesë të lejes së drejtimit.
Ai po ashtu përballet me akuza për drejtim mjeti pa kujdes, shkaktim të lëndimeve trupore dhe dëmtim të pronës, ndërsa në rast dënimi rrezikon burgim të përjetshëm.

Në të njëjtën kohë, shoferi i kamionit me të cilin u përplas Lexus-i është ende në arrati, pasi është larguar nga vendi i aksidentit.
Zëdhënësi i policisë, Oluseyi Babaseyi, ka bërë të ditur se Kayode është liruar me garanci në vlerë prej 3,500 dollarësh, me dy garantues, ndërsa është mbajtur në paraburgim derisa të përmbushen kushtet e garancisë.
“Klienti im është deklaruar i pafajshëm dhe thotë se ajo që ndodhi ishte një aksident. Nuk kam pasur ende mundësi të flas me të, por e di që ai pretendon se frenat dështuan”, ka deklaruar avokati i Kayode, Olalekan Abiodun.
Ndërkohë, janë publikuar edhe pamje të frikshme nga aksidenti në të cilin ishte përfshirë Anthony Joshua. Avokati ka zbuluar gjithashtu fatin e jashtëzakonshëm të boksierit në këtë ngjarje tragjike.
Sipas tij, Joshua fillimisht ishte ulur në ulësen e përparme të automjetit, por më pas ishte zhvendosur në ulësen e pasme, pasi nuk mund të ulej rehat. Trajneri dhe miku i tij, të cilët humbën jetën në aksident, ndodheshin pikërisht në ulësen e përparme të makinës.












