Deputeti dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se Ushtria dhe Policia e Kosovës do të jenë prioritet absolut i angazhimit të tij politik, duke premtuar masa konkrete ligjore dhe institucionale për përmirësimin e kushteve të shërbimit dhe trajtimit të tyre.
Në një deklaratë publike, Haradinaj theksoi se përkrahja për Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në ligje dhe veprime konkrete që garantojnë dinjitet dhe siguri për ata që çdo ditë rrezikojnë jetën për vendin.
Sipas tij, brenda gjashtë muajve do të përmbyllet dhe miratohet Ligji për pensionin e Policisë, i cili do të jetë i barabartë me pensionin e Ushtrisë së Kosovës. Po ashtu, Haradinaj u zotua se brenda dymbëdhjetë muajve do të zgjidhet përfundimisht çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës.
“Kjo është një çështje dinjiteti dhe respekti për ata që shërbejnë në mbrojtje të sigurisë dhe sovranitetit të vendit”, theksoi Haradinaj, duke shtuar se trajtimi i barabartë duhet të garantohet me ligj dhe jo të mbetet premtim politik.
Ai nënvizoi se përveç rritjes së pagave dhe krijimit të kushteve më të mira të punës, mbrojtja sociale dhe sigurimi janë elemente themelore për motivimin dhe stabilitetin e forcave të sigurisë.
“Policia dhe Ushtria meritojnë respekt, siguri dhe trajtim të barabartë. Ne do të jemi krah secilës dhe secilit që shërben në mbrojtje të popullit dhe të Kosovës”, përfundoi Haradinaj.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur çështjet e sigurisë, trajtimit të pjesëtarëve të forcave të rendit dhe forcave të armatosura po kërkojnë zgjidhje konkrete dhe afatgjata në nivel institucional.