Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për deklaratën e dhënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Dialogun e planifikuar Strategjik e ndërpreu për shkak të sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.

Çitaku i quajti qesharake dhe të turpshme deklaratat e Kurtit, duke theksuar edhe se prej se ai udhëheq me Qeverinë ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës bashkë me partinë që drejton.

“SHBA-ja ka investuar fuqishëm tani e 26 vjet në Kosovë në të gjitha fushat, të thuash se dialogu strategjik ka dështuar për shkak të këmbëngulësisë së zotit të Kurtit për rend dhe ligj e demokraci, thënë më së buti është qesharake, por në fakt kur e thotë një njeri me peshë politike është e turpshme. Vetë z.Kurti po i ikë prokurorisë tani e disa muaj. Shumica e ministrave të tij nëse nuk kanë aktakuzë, janë nën hetime. Z.Kurti dhe klasa politike, përkatësisht grupi politik të cilin ai e drejton e kanë shkelë me vetëdije të plotë Kushtetutën. Për çfarë rendi dhe ligji, për çfarë demokracie po flet z.Kurti i cili i tani e pesë vjet prej së është në udhëheqje të qeverisë ka kërkuar nënshtrim. Nënshtrim nga media, nga opozita, nga sektori privat e nga sindikatat. Është e turpshme që një njeri me peshë politike të deklarohet në atë formë“, ka deklaruar Çitaku.

Ajo pati kritika edhe sa i përket shkuarjes së Kurtit në SHBA, duke thënë se nuk ka pasur asnjë takim bilateral të nivelit të lartë.

“Pezullimi i Dialogut Strategjik është vetëm formalizmi i një raporti shumë të ftohtë mes Kosovës dhe SHBA-së tani e pesë vjet. Po shihet edhe nga vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përjashto pritjet protokollare që bëhen për qindra udhëheqës botëror. Kosova nuk pati takim bilateral të nivelit të lartë. Tani e pesë vite nuk kemi pasur vizitë të nivelit të lartë në SHBA”, nënvizoi Çitaku.

Kryeministri në detyrë gjatë një bashkëbisedimi në një shkollë në Neë York, i pyetur që të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator për pezullim të Dialogut të planifikuar Stretegjik, tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti ditë më parë.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti.

SHPËRNDAJE