Profesori universitar reagon pas një akti ndotjeje në lagjen e tij, duke ngritur shqetësimin për mungesën e kulturës qytetare.

Profesori universitar Blerim Latifi ka reaguar ashpër pas një ngjarjeje që, sipas tij, e ka parë me sytë e tij në lagjen ku jeton. Ai tregoi se nga katet e sipërme të një ndërtese, dikush hodhi dy qese me mbeturina, të cilat ranë mbi kulmin e një shtëpie të vjetër pranë ndërtesës.

“Ndodhi mbramë, në lagjen time. E pashë me sytë e mi. Nga katet e sipërme të një ndërtese, dikush hodhi dy qese me bërllog. Ato ranë mbi kulmin e një shtëpie të vjetër, ngjitur me ndërtesën. Çfarë kafshe!”, shkroi Latifi.

Ai shprehu indinjatën e tij duke theksuar se persona të tillë, pavarësisht sjelljes barbare, gëzojnë të drejtën e votës. Sipas tij, kjo përbën një paradoks serioz për funksionimin e demokracisë.

“Ky barbar quhet ‘qytetar’ dhe ka të drejtë vote. Ç’absurd! Demokracia nuk është menduar për barbarë. Ajo është ndërtuar për njerëz të edukuar,” theksoi Latifi.

Në përfundim, profesori nënvizoi se qytetaria nuk është vetëm një çështje të drejtash, por mbi të gjitha kulturë dhe përgjegjësi ndaj hapësirës publike. “Qytetaria, para se të jetë një tërësi të drejtash, është kulturë, është ndjeshmëri publike, është ekologji,” përfundoi Latifi.

SHPËRNDAJE