Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës tha se subjekti politik ku ai bën pjesë është e bashkuar dhe mobilizuar si kurrë më parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sa i përket çështjes së formimit të qeverisë, Behrami tha se preferencat e tyre janë për koalicion me partitë të cilat kanë “hise në çlirim, në liri, pavarësi dhe shtet ndërtimin e Kosovës”.
“Pra ne synojmë që së bashku me LDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera shqiptare dhe të komunitetit jo serb ta krijojmë qeverinë e ardhshme pas 28 dhjetorit.”, tha ai.
Duke folur për vendimin e PZAP-së ku kundërshton, hapjen e votimeve jashtë qendrave, Behrami tha se rasti i Mitrovicës ka treguar se Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin është në gjendje që të keqpërdor mekanizmat shtetëror për të arritur një fitore.
“Prandaj frika , pasiguria, mosbesimi është shumë i thellë që edhe në këto zgjedhje nacionale Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti do të mundohen që të gjejnë mekanizma për të keqpërdor shtetin, për të keqpërdorur mekanizmat e shtetit të Republikës së Kosovës për të fabrikuar një fitore të mundshme. Prandaj për gjithë qytetarët e Kosovës, aktivistët e partive politike që të jenë shumë të vëmendshëm dhe të adresojnë çdo shqetësim , çdo parregullsi që mund të ndodh prej tani deri në përfundim dhe deri të numërimi i fundit i votës së fundit nga këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Sa i përket postit të presidentit, Behrami për RTV21 tha se mbetet të shihet pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit .
“Sepse rezultatit do të definoj të gjitha matematikat edhe të koalicioneve edhe të posteve të presidentit e kështu më radhë, por ne besojmë dhe jemi shpresë plot se PDK kësaj radhe do të jetë partia e parë dhe do të jetë parti fituese e cila do të dominojë skenën dhe do të dominojë matematikat e koalicioneve që mund të dalin nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.











