Avokati Driton Muharremi ka ngritur shqetësimin se 35 persona të ndaluar po mbahen kundërligjshëm në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, edhe pas skadimit të afatit ligjor prej 48 orësh të ndalimit. Rasti ka të bëj me zhvatjen e mbi 1 milionë eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Sipas Muharremit, Gjykata në Prizren kishte vendosur më herët që këta persona të kthehen në paraburgim, ndonëse Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masa më të lehta.

“Në mesin e këtyre 35 të pandehurve ndodhet edhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë dhe një person tjetër që është nën trajtim onkologjik. Megjithatë, përkundër këtyre rrethanave dhe përkundër propozimit të Prokurorisë për masa më të lehta, gjykata ka vendosur kthimin e tyre në paraburgim,” ka deklaruar Muharremi.

Ai tha se afati ligjor i ndalimit ka skaduar, por që të ndaluarit vazhdojnë të mbahen pa bazë ligjore në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

“Qendra e Paraburgimit në Lipjan, në vend se t’i lirojë menjëherë këta persona, po pret një vendim të ri nga gjyqtari, edhe pse e dinë se nuk kanë të drejtë t’i mbajnë asnjë minutë më shumë. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të tyre të garantuara,” ka shtuar ai.

Sipas avokatit Muharremi, kjo situatë përbën shkelje serioze të ligjit dhe cenim të parimeve themelore të drejtësisë dhe lirive themelore të njeriut.

Disa prej të dyshuarve në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore ndaj tyre.

Sipas njoftimi të Gjykatës Themelore të Prizrenit, seanca e nisur në ora 16:00 ndaj 39 të pandehurve ka mbaruar në orën 23:00 të së premtes.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj seance disa nga palët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“​Gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka Gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve i’u është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.

Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.

Prokuroria tha se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.

Prokurorët i kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve.

SHPËRNDAJE