Një aksion i gjerë i Policisë dhe Prokurorisë në Prizren ka çuar në pranga një person nën dyshimet për ushtrim presioni dhe dhënie ryshfeti në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në kuadër të këtij hetimi, rreth 100 zyrtarë të KQZ-së janë ftuar për intervistim.
Prokuroria dhe Policia në Prizren kanë zbarkuar në terren për të hetuar parregullsitë në procesin zgjedhor.
Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, gjatë këtij aksioni është arrestuar Granit Paçarizi, i cili është djali i vëllait të kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Fetah Paçarizi.
Sipas burimeve, Paqarizi dyshohet për veprime të kundërligjshme që përfshijnë presion mbi votuesit dhe dhënie ryshfeti për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Mbi 100 zyrtarë të KQZ-së nën llupën e Prokurorisë Hetimet nuk janë ndalur vetëm te personat e dyshuar për ryshfet. Mësohet se mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë zgjedhjeve të fundit janë ftuar për intervistim. Gjatë ditës pritet që numri i personave të ndaluar të rritet, pasi policia po vazhdon mbledhjen e provave.


