Kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar “Lura Agroturizëm”, një qendër atraktive turistike e ndërtuar në fshatin Makresh, pronë e biznesmenit Gani Buca.

Ismajli vlerësoi kombinimin që ky vend ofron mes restorantit modern klasik, shtëpive malore për akomodim turistik, si dhe pemishteve e kopshteve që krijojnë një ambient ideal për relaksim dhe frymëzim në natyrë.

“U njohëm nga afër me punën e jashtëzakonshme të pronarit Ganiut me djalë dhe stafit, të cilët çdo ditë punojnë me pasion për të ofruar një eksperiencë të veçantë për vizitorët”, u shpreh ai.

Sipas Ismajlit, ky është një shembull i qartë se edhe në zonat rurale mund të zhvillohen biznese që bashkojnë traditën me inovacionin dhe mikpritjen, duke sjellë më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Ai gjithashtu theksoi se pas 12 tetorit, prioritet do të jetë krijimi i politikave të mirëfillta publike për investime në turizëm, kushte të favorshme për bizneset dhe lobim për tërheqjen e turistëve të huaj.

“Me ju dhe me ide të tilla, fshatrat tona turistike po marrin një pamje krejt tjetër dhe po bëhen destinacion për të gjithë që duan natyrë, qetësi dhe shije të mirë”, tha Ismajli.

SHPËRNDAJE