Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, është takuar me përfaqësuesit e Shoqatës së Peshkatarëve Sportiv Rekreativ “Cormoran”, një organizatë që për vite të tëra është angazhuar në ruajtjen e mjedisit dhe promovimin e sportit të peshkimit në Gjilan dhe më gjerë.

Në takim, Ismajli u njoftua nga kryetari i shoqatës dhe njëherësh sekretar i Federatës së Peshkatarëve Sportiv të Kosovës, z. Sadat Gjinolli, lidhur me veprimtarinë e tyre, organizimin e brendshëm si dhe sukseset në garat vendore dhe ndërkombëtare.

“E falënderova për punën e madhe dhe përkushtimin që kanë treguar në çdo aktivitet sportiv e rekreativ. Krenar që gjithmonë kemi qenë afër kësaj shoqate, sidomos në Memorialin ‘Agim Ramadani’,” u shpreh Ismajli.

Ai tha se në planin e ardhshëm qeverisës është paraparë mbështetje konkrete për sportin e peshkimit dhe aktivitetet rekreative, përfshirë:

  • Integrimin e Memorialit “Agim Ramadani” në projektin “Ditët e Agimit”

  • Studimin e fizibilitetit për pastrimin dhe zhvillimin e pendës së Livoqit si zonë rekreative

  • Ruajtjen e burimeve ujore, përfshirë lumin Morava e Binçës

  • Mbrojtjen e florës dhe faunës lokale

  • Ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza dhe rrjetit të kolektorëve fekalë

“Bashkë do ta ruajmë, zhvillojmë dhe promovojmë pasurinë tonë ujore për sport, rekreacion dhe jetë më të mirë në Gjilan,” përfundoi Ismajli, duke falënderuar shoqatën për mikpritjen dhe bashkëbisedimin.

SHPËRNDAJE