Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vazhduar takimet me qytetarët në lagjet Zabel, Arbëri, Vishnje dhe Velekincë.
Në fjalimin e tij, Ismajli theksoi rëndësinë e një qeverisjeje transparente dhe të përgjegjshme, që i jep përparësi qytetarëve dhe zhvillimit të balancuar të çdo zone të komunës. Ai prezantoi planin e tij konkret për këto lagje, që përfshin investime në infrastrukturë moderne, ndriçim publik, hapësira rekreative dhe mbështetje për sektorin ekonomik lokal.
“Këto lagje janë pasqyra e punës dhe ndershmërisë. Qytetarët këtu kanë pritje të qarta dhe duan një kryetar që i dëgjon dhe punon për ta. Unë jam këtu për t’u dëshmuar se Gjilani mund dhe duhet të udhëhiqet ndryshe,” u shpreh Arbër Ismajli para të pranishmëve.
Ai shtoi se përkushtimi i tij është i palëkundur dhe se çdo zotim që po jep në terren do të realizohet me përpikëri dhe llogaridhënie të plotë.
Qytetarët pjesëmarrës e cilësuan këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt ndryshimit që e dëshirojnë prej kohësh. Përkrahja e tyre e fuqishme u shpreh në diskutime të hapura, ide të reja dhe besim të plotë në vizionin e Arbër Ismajlit.
“Ky mobilizim është dëshmia më e qartë se Gjilani është gati për një kapitull të ri – atë të fitores, zhvillimit dhe shpresës,” përfundoi Ismajli.