Gjilan, 10 Shtator – Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar fabrikën e mobiljeve EuroModel, të cilën e cilësoi si një prej modeleve më të suksesshme të zhvillimit të ndërmarrësisë në vend.
Gjatë vizitës, Ismajli u shpreh i impresionuar nga standardet e larta të prodhimit, teknologjia bashkëkohore që përdoret në proces, si dhe mjedisi i punës që sipas tij nxit kreativitetin dhe frymën bashkëpunuese.
“EuroModel është dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe inovacionit në fushën e prodhimit të mobiljeve moderne. Ky është shembulli më i mirë se si bizneset lokale mund të zhvillohen me sukses, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të Gjilanit”, u shpreh Ismajli.
Një element që kandidati i LDK-së veçoi si model frymëzues është angazhimi i fabrikës për të fuqizuar rolin e grave në tregun e punës, duke ofruar mundësi të barabarta për karrierë dhe zhvillim profesional.
Ismajli theksoi gjithashtu se qeverisja e tij e ardhshme do të jetë gjithmonë e hapur për bizneset e qytetit, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme për çdo iniciativë që sjell zhvillim dhe gjeneron vende të reja pune.
“Bizneseve lokale ju premtojmë se dyert e komunës do të jenë të hapura në çdo kohë. Vetëm duke i mbështetur ndërmarrjet tona, Gjilani mund të bëhet një qytet më i zhvilluar dhe më i begatë”, shtoi ai.
Në përfundim të vizitës, kandidati i LDK-së shprehu mirënjohje për stafin e EuroModel, të cilët, siç tha ai, po japin një kontribut të veçantë jo vetëm për tregun lokal, por edhe për imazhin e industrisë vendore në nivel evropian.
Fotografitë nga vizita e z. Arbër Ismajli në fabrikën EuroModel e shoqërojnë këtë aktivitet.
