Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar ndaj zhvendosjes së administratës komunale në objektin e Shkollës së Agrobiznesit në lagjen e Vishnjeve, duke e cilësuar këtë vendim si një absurditet dhe padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve.
Ismajli theksoi se për shkak të këtij vendimi, qytetarët janë të detyruar të udhëtojnë afro 3 kilometra larg qendrës së qytetit vetëm për të kryer shërbime elementare, duke shpenzuar kohë dhe para shtesë. Ai shtoi se edhe vetë zyrtarët komunalë ndihen të fyer nga kjo situatë, pasi iu është rritur kostoja e përditshme për të shkuar në vendin e punës.
“Ky është modeli më i qartë i një qeverisjeje që nuk mendon për qytetarët. Ata i kanë lënë qytetarët rrugëve, ndërsa pushteti është kujdesur vetëm për komoditetin e vet. Kryetari i komunës është duke ushtruar presion mbi institucionet e trashëgimisë kulturore dhe mbi drejtorinë e shëndetësisë, vetëm për të siguruar një zyrë luksoze për veten në zemër të qytetit,” tha Ismajli.
Ai premtoi se një nga veprimet e para të qeverisjes së tij do të jetë kthimi i administratës komunale në qendër të qytetit, aty ku i takon të jetë pranë qytetarëve dhe në shërbim të tyre.
“Koha e papërgjegjësisë politike ka mbaruar. Që në muajin e parë të qeverisjes sonë, administrata komunale do të rikthehet në zemër të qytetit. Do të kemi një qeverisje që punon për qytetarët, jo kundër tyre,” u shpreh kandidati i LDK-së.
Ismajli përmbylli se ndryshimi për Gjilanin është i pashmangshëm dhe se qytetarët do të kenë një qeverisje me përgjegjësi, llogaridhënie dhe vizion për të ardhmen.
#BashkePerFitore👓
#ArberIsmajli #113