Apple ka realizuar një nga blerjet më të mëdha në historinë e saj, duke përvetësuar start-up-in izraelit Q.AI për një vlerë që i afrohet 2 miliardë dollarëve, siç raporton Financial Times.
Q.AI është një kompani e re dhe shumë diskrete, e specializuar në teknologji që analizon mikro-lëvizjet e fytyrës për të interpretuar të ashtuquajturin “fjalim i heshtur”, komunikim pa zë, përmes shprehjeve minimale të muskujve të fytyrës. Kjo teknologji shihet si kyçe për zhvillimin e pajisjeve të reja “wearable”, si kufje dhe syze inteligjente, të afta të ndërveprojnë me asistentë të inteligjencës artificiale pa pasur nevojë për komanda zanore.
Kjo lëvizje synon të ndihmojë Apple të ngushtojë diferencën me rivalët e saj kryesorë në IA, përfshirë Meta, Google dhe OpenAI, të cilët po avancojnë me shpejtësi në zhvillimin e pajisjeve të reja të bazuara në inteligjencë artificiale.
Në një postim në blog, GV (ish-Google Ventures), një nga investitorët e Q.AI, e përshkroi marrëveshjen si “blerja e dytë më e madhe në historinë e Apple”. Dokumentet e patentave të Q.AI tregojnë se teknologjia e saj është menduar të integrohet në pajisje si kufje apo syze, duke përdorur “mikro-lëvizje të lëkurës së fytyrës” për komunikim pa fjalë.
Johny Srouji, zv.president i lartë i Apple për teknologjitë e harduerit, e cilësoi Q.AI si “një kompani të jashtëzakonshme që po hap rrugë të reja kreative në përdorimin e imazherisë dhe machine learning”.
Marrëveshja vjen në një moment kur investitorët kanë shprehur shqetësime se Apple po mbetet prapa në garën e IA, veçanërisht pas shtyrjes së lançimit të një versioni të përmirësuar të Siri-t, e cila konsiderohet më pak e avancuar krahasuar me Google Gemini apo ChatGPT të OpenAI. Kohët e fundit, Apple ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Google për të përdorur teknologjinë Gemini si pjesë e shërbimeve të saj të quajtura “Apple Intelligence”.
Ndryshe nga rivalët, Apple historikisht ka shmangur blerjet e mëdha, duke preferuar përvetësime më të vogla për talent dhe pronësi intelektuale. Blerja më e madhe e kompanisë mbetet ajo e Beats për 3 miliardë dollarë në vitin 2014. Megjithatë, vitet e fundit Apple ka investuar ndjeshëm në fusha si gjysmëpërçuesit, vizioni kompjuterik dhe inteligjenca artificiale, përfshirë blerje të shumta kompanish izraelite.
Q.AI u themelua në Tel Aviv në vitin 2022 nga Aviad Maizels, Yonatan Wexler dhe Avi Barliya dhe ka operuar kryesisht larg vëmendjes publike.
Investitorët e saj përfshijnë emra të njohur si Kleiner Perkins, Spark Capital dhe Exor. Disa anëtarë të ekipit kanë qenë më parë pjesë e PrimeSense, një tjetër start-up izraelit i blerë nga Apple në vitin 2013, teknologjia e të cilit u bë themel i sistemit Face ID.



