Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-komandant i betejës së Koshares, Anton Quni, ka vlerësuar lart pjesëmarrjen masive dhe atmosferën pozitive në prezantimin e kandidatëve për deputetë të LDK-së, duke e cilësuar ngjarjen si një mbrëmje të mbushur me shpresë, vullnet dhe besim për ndryshim.
Në një reagim pas përfundimit të aktivitetit, Quni theksoi se energjia e mijëra qytetarëve të pranishëm ishte dëshmi e qartë se Kosova është e gatshme për një kthesë politike dhe për rikthimin e vizionit shtetndërtues.
“Sonte pamë energji, vullnet dhe shpresë. Kjo është dëshmia më e mirë se qytetarët e Kosovës janë gati për ndryshim dhe për ta kthyer vendin në rrugën e duhur”, ka theksuar Quni.
Ai vlerësoi kandidatët e LDK-së si burra dhe gra të përkushtuar, me integritet dhe vizion të qartë për të ardhmen e vendit, duke shtuar se ekipi i prezantuar përfaqëson përgjegjësi, seriozitet dhe angazhim real për interesin publik.
Quni falënderoi qytetarët që ishin pjesë e këtij prezantimi, duke e cilësuar mbrëmjen si një moment të rëndësishëm politik për LDK-në dhe për Kosovën. Sipas tij, bashkimi i qytetarëve rreth vlerave demokratike dhe shpresës për një të ardhme më të mirë është themeli i një qeverisjeje të suksesshme.
“Së bashku do të punojmë për një të ardhme më të mirë, për çdo qytetar të Kosovës”, përfundoi Quni.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur zyrtarisht fushatën me prezantimin e kandidatëve të saj, duke u fokusuar në programin politik që synon zhvillim ekonomik, stabilitet institucional dhe forcim të demokracisë në vend.












