Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë paralajmëron se zvarritja e ngërçit politik po i kushton vendit që të ketë “zë të plotë e të besueshëm” në arenën ndërkombëtare dhe po bllokon prioritetet jetike – nga buxheti deri te reformat.
Ai u kërkon të gjitha palëve ta lejojnë Gjykatën Kushtetuese të bëjë punën e saj, të respektojnë pa mëdyshje vendimet e saj dhe të mundësojnë funksionalizimin e Kuvendit, zgjedhjen e qeverisë dhe të presidentit në fillim të pranverës.
“Natyrisht, ajo është një pjesë thelbësore e Kushtetutës së Kosovës dhe një pjesë thelbësore e zbatimit të sundimit të ligjit, ku Kosova ka bërë shumë përparim gjatë periudhës së fundit. Dhe, është diçka për të cilën Kosova duhet të jetë shumë krenare. Që nga pavarësia, është bërë një përparim i madh në zbatimin e fortë të sundimit të ligjit. Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht. Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr”, theksoi ai.
Sipas tij, përgjegjësia për zgjidhje është e përbashkët – ligjore dhe politike – duke shtuar se nëse kjo nuk arrihet, atëherë zgjedhjet e reja mbeten opsion, por me kusht që fillimisht zgjedhjet lokale të zhvillohen mirë dhe rezultatet të respektohen.
Deri më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me vendim të ri lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pas ankesës së Listës Serbe për ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.
Hargreaves po ashtu thotë se është “zhgënjyese dhe shqetësuese” që dialogu me Serbinë po ecën ngadalë për shkak të mungesës së institucioneve në Kosovë dhe zhvillimeve politike në Serbi.
Duke komentuar kushtin e vendosur nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për vazhdimin e dialogut – ekstradimin e Millan Radoiçiqit – Hargreaves thotë se është thelbësore që Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi pandëshkueshmëria për këtë sulm “nuk mund të vazhdojë”.
Diplomati britanik po ashtu foli edhe për çështjen e integrimit të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, duke thënë se integrimi i tyre është “jashtëzakonisht e ndjeshme, duke theksuar zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit ligjor të Kosovës, përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.