Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në një lokal afarist.
Siç thuhet në njoftimin e policisë, lidhur me rastin dyshohet se katër persona (tre burra dhe një grua) janë përfshirë në veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit në sektorin privat”.
“Përmes hetimeve të zhvilluara, ku janë aplikuar masat e veçanta të hetimit, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar veprat penale si: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe “marrja e ryshfetit në sektorin privat””, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se gjatë kontrollit janë sekuestruar përkohësisht: 7 telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, bën të ditur tutje policia.

