Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, ka shpallur aktgjykimin ndaj të pandehurit E.R., i cili është dënuar për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, me pasojë vdekjen e tre personave.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Leotrim Gashi, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor E.R., sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 18 qershor 2025.
Vepra penale për të cilën është dënuar parashihet nga neni 370 paragrafi 9, lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh dënim nga një deri në tetë vjet burgim.
Gjykata i ka shqiptuar të pandehurit dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë vjet e gjashtë muaj, si dhe dënim plotësues ndalim të drejtimit të automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy vjetësh.
Ky ndalim do të fillojë të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.
Sipas aktakuzës, më 26 janar 2025, rreth orës 18:45, në rrugën rajonale Mitrovicë–Pejë, në fshatin Qubrel të Komunës së Skenderajt, E.R. nga pakujdesia nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke shkelur dispozitat e Ligjit për Trafikun Rrugor. Si pasojë, ai kishte humbur kontrollin mbi automjetin, kishte kaluar në shiritin e kundërt dhe ishte përplasur me një veturë VW Golf IV.
Nga ky aksident kishin pësuar lëndime fatale A.G., G.G. dhe Z.G., ndërsa lëndime të rënda trupore kishte pësuar vetë i pandehuri, pasagjerët e tij D.E. dhe B.H., si dhe pasagjeri i veturës tjetër, fëmija L.G.
Arsyetimi i plotë i aktgjykimit pritet t’u dorëzohet palëve me vendimin e shkruar, ndërsa ndaj këtij aktgjykimi ekziston e drejta e ankesës brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të tij.




